Mali i Zi e fitoi pavarësinë me votën e Shqiptarëve
LQSHA DËNON ARRESTIMIN ILEGAL DHE TORTURIMIN E 14 SHQIPTARËVE NË MAL TË ZI & FTON QEVERINË AMERIKANE TA PARANDALOJË FSHEHJEN E RASTIT
Shirley Cloyes DioGuardi, këshilltare e Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane për çështje të Ballkanit, është dakord me Nuculajn dhe shton se “Qeverisë malazeze i ngelet një barrë e madhe për të dëshmuar me prova se këta katërmbëdhjetë shqiptarë, apo cilido shqiptar tjetër në Mal të Zi, kanë interes të mirëfilltë për të marrë pjesë në akte të dhunshme kundër shtetit. Ndërkohë, qeveria duhet të sqarojë para komunitetit ndërkombëtar arsyen përse ky akt i dhunës me prapavi etnike kundër shqiptarëve në Mal të Zi ndodhi në shtetin e sapo pavarësuar që po kërkon të drejtën dhe privilegjet e plota të anëtarësimit në Bashkimin Evropian”.
----
Policia ka torturuar të ndaluarit deri në humbje të vetëdijes, ndërsa ka traumatizuar familjet e të ndaluarëve dhe ka përdorur shprehje raciste
Nju-Jork, 9 tetor 2006 - Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane ka mësuar se firma ligjore “Preleviq” e Malit të Zi ka ngritur akuzat penale kundër policëve pjesëmarrës në arrestimin kundërligjor dhe kundër nxjerrjes joligjore të të dhënave dhe torturimit të katërmbëdhjetë shqiptarëve në Tuz më 9 shtator, tre prej të cilëve qytetarë amerikanë.
Zyra “Preleviq” përfaqëson dy prej qytetarëve amerikanë, Kolë Dedvukajn dhe Rrok Dedvukajn, të cilët kishin shkuar për pushim vjetor në Mal të Zi dhe katër shqiptarë të tjerë me banim në Tuz dhe në katundet përreth tij në rajonin e Malësisë me shumicë shqiptare. Përdorimin e torturës e ka konfirmuar edhe Helsinki.
Sipas deklaratave zyrtare të bëra nga këta katërmbëdhjetë persona, që vazhdojnë të mbahen në burg në pritje të rezultateve të hetimeve nga zyra e prokurorisë së Malit të Zi, ata janë marrë nga shtretërit e tyre në orët e hershme të 9 shtatorit nga ekipet e policisë “SWAT” të pajisura me maska të plota në fytyrë dhe të armatosur me armë automatike. Policia ka traumatizuar ata dhe familjet e tyre duke ua drejtuar pushkët në fytyrë, duke i poshtëruar e duke i kërcënuar dhe duke i rrahur e shqelmuar pa pushim. Veç kësaj ndaj tyre ka përdorur sharje dhe thirrje raciste, si, fjala vjen: “Do t’u dërgojmë në Shqipëri”, “Do t’u vrasim që të gjithëve se ky vend është yni”.
Ndalja e torturave ka ardhurpas presionit në rritje të qeverisë shqiptare dhe organizatave ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut
Pastaj i kishin vënë nën pranga, ishin hedhur në xhipa dhe ishin dërguar në departamentin e policisë. Gjatë tërë kohës i kishin kërcënuar se do t’i vrisnin, i kishin rrahur me grushte, me shkopinj e me kondakë pushkësh dhe pastaj nën vëzhgimin e rreptë, për orë të tëra i kishin detyruar të qëndronin në gjunjë, derisa disa prej tyre e kishin humbur vetëdijen.
Disa prej të burgosurve ishin rrahur pa pushim gjatë tërë kohës. Asnjërit prej tyre nuk i kishin dhënë ujë për disa ditë me radhë dhe Kolë Dedvukajt i kishin marrë madje edhe ilaçet kundër tensionit të gjakut që i mban me vete rregullisht.
Torturat mbi ta kishin vazhduar edhe pasi ishin sjellë para gjykatës komunale e pastaj edhe para gjykatës së lartë malazeze. Kjo gjendje nuk kishte pushuar për asnjë çast derisa të arrestuarit ishin dërguar në burgun federal në Spuz pasditen e 12 shtatorit. Kjo ishte bërë pas presionit në rritje të qeverisë shqiptare dhe organizatave ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të cilat, me kërkesën a anëtarëve të familjeve të këtyre të burgosurve, u informuan drejtpërdrejt nga Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane.
Policia i ka etiketuar të ndaluarit si “terroristë Amerikanë” dhe “terroristë shqiptarë”
Shqetësimin e saj për rastin pra qeverisë së Malit të Zi i shprehu edhe Zyra e ShBA-ve në Podgoricë, e cila veç kësaj i vizitoi qytetarët amerikanë.
Pas arritjes në departamentin e policisë në Podgoricë, Rrok Dedvukaj ishte rrahur sërish dhe njëri prej hetuesve e kishte quajtur atë “terrorist amerikan”. “Po nuk na tregove do të të torturojmë me korrent”, - e kishte kërcënuar hetuesi.
Derisa nuk u nxorën para gjykatës së lartë, Rroku dhe të burgosurit tjerë nuk dinin asgjë për arsyen e arrestimit dhe abuzimin që po u bënin autoritetet malazeze. Sipas medias malazeze, që citonte burimet qeveritare, katërmbëdhjetë personat në fjalë ishin rrethuar dhe arrestuar si grupi i “Terroristëve shqiptarë” që ishin kapur në procesin e kompletimit të një sulmi të dhunshëm kundër shtetit. Media malazeze botoi fotografi të një depoje të fshehtë armësh, të zbuluar gjoja nga qeveria, ku që të gjitha armët dukeshin t’i përkisnin epokës së Luftës së Dytë Botërore.
Siç na tha sot Katrina Dedvukaj, motra e Rrokut që banon në Utica të Miçiganit, “Rroku tërë jetën e tij ua ka kushtuar të drejtave të njeriut. Tërë ajo që ai dhe anëtarët tjerë të familjes sime kanë dëshiruar dhe kërkuar prej kohësh është drejtësi për popullin tonë. Akuzat e bëra kundër Rrokut dhe kushërinjve të tjerë na kanë fyer rëndë”, - ka deklaruar Katrina.
Marash Nuculaj, udhëheqës i Degës së Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, i lindur dhe i rritur në Tuz, tha: “Arrestimi dhe torturimi i këtyre personave është i papranueshëm, aq më shumë se bëhet në shekullin 21 dhe nga një vend që mban vetën për vend demokratik. Ky rast është një thirrje për zgjimin e shqiptarëve dhe të komunitetit ndërkombëtar. Qeveria e Gjukanoviqit për gjashtëmbëdhjetë vjet me radhë ka stërvitur policinë malazeze për t’i frikësuar, rrahur dhe torturuar shqiptarët. Muajin e shkuar ky rast ndodhi në Tuz, por nesër, po që se nuk ndryshon kjo mendësi e përqafuar nga aq shumë malazezë, një rast i tillë mund të ndodhë edhe në Ulqin, në Ana Mal, në Krajë apo në Plavë e në Guci.
Shirley Cloyes DioGuardi, këshilltare e Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane për çështje të Ballkanit, është dakord me Nuculajn dhe shton se “Qeverisë malazeze i ngelet një barrë e madhe për të dëshmuar me prova se këta katërmbëdhjetë shqiptarë, apo cilido shqiptar tjetër në Mal të Zi, kanë interes të mirëfilltë për të marrë pjesë në akte të dhunshme kundër shtetit. Ndërkohë, qeveria duhet të sqarojë para komunitetit ndërkombëtar arsyen përse ky akt i dhunës me prapavi etnike kundër shqiptarëve në Mal të Zi ndodhi në shtetin e sapo pavarësuar që po kërkon të drejtën dhe privilegjet e plota të anëtarësimit në Bashkimin Evropian”.
Lidhja Qytetare u bën thirrje liderëve të politikës së jashtme në Kongresin amerikan të kërkojnë lirimin e tyre të menjëhershëm
Sot, tridhjetë ditë pas arrestimit të tyre, zyra e prokurorisë malazeze duhet të vendosë për vazhdimin e paraburgimit ose lirimin e katërmbëdhjetë shqiptarëve të arrestuar. Po që se nuk i lirojnë, Cloyes dhe themeluesi i Lidhjes Qytetare, ish-kongresisti Joe DioGuardi, druajnë se Mali i Zi, në mungesë të çfarëdo prove relevante, mund të përpiqet ta shtrembërojë të vërtetën për t’i mbajtur këta burra në burg mbi bazën e akuzave të trilluara, me qëllim të fshehjes së përdorimit të torturës. Më herët DioGuardi ka shprehur skepticizmin e tij për kohën e përzgjedhur për arrestim në mëngjesin e zgjedhjeve komunale që ishin me rëndësi për vetëvendosjen e shqiptarëve të Tuzit.
Lidhja Qytetare, që organizoi misionet faktmbledhëse nëpër komunitetet shqiptare në Mal të Zi me kongresistin Tom Lantos në vitin 2003 dhe me kongresistin Dana Rohrabacher në vitin 2005, u bën thirrje liderëve të politikës së jashtme në Kongresin amerikan ta denoncojnë aktin e torturimit të këtyre katërmbëdhjetë personave, të kërkojnë lirimin e tyre të menjëhershëm dhe të angazhohen për një hetim të pavarur nga Këshilli i Evropës me qëllim të përcaktimit dhe sqarimit të rrethanave dhe motiveve të veprimit të policisë malazeze, të ndërmarrë më 9 shtator./Përktheu: Musli Bazhdaraj Përg.për botim: Elida BUÇPAPAJ
BOX
Lidhja Qytetare u bën thirrje liderëve të politikës së jashtme në Kongresin amerikan të kërkojnë lirimin e tyre të menjëhershëm dhe të angazhohen për një hetim të pavarur nga Këshilli i Evropës me qëllim të përcaktimit dhe sqarimit të rrethanave dhe motiveve të veprimit të policisë malazeze, të ndërmarrë më 9 shtator.